Liri Belishova

politikane shqiptare

Liri Belishova (Belishovë, 14 tetor 1926 - 23 prill 2018[1]) ka qenë anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së ka qenë një nga drejtueset kryesore të Partisë Komuniste që nga vitet e para të krijimit të saj.

Biografia

Lindi në Belishovë të krahinës së Mallakastrës në një familje të kamur të zonës,[2] e bija e Kamber Belishovës, përfaqësues i krahinës në Kongresin e Durrësit [3] dhe pjesëmarrës në Luftën e Vlorës. Shkollën fillore pesëvjeçare e mbaroi më 1937 në Ballsh. Më 1938 fitoi bursë që të ndiqte studimet në Institutin "Nana Mbretneshë" në Tiranë, krah Nexhmije Hoxhës, Ramize Gjebreas, Fiqiret Shehut, dhe Vito Kapos. Kontaktet me idetë dhe materialet komuniste i pati prej kushëririt të saj, Besimit, student në Normalen e Elbasanit.[2]

Belishova u bashkua me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë dhe humbi një sy. Gjatë viteve 1946 dhe 1947, ajo ishte kryetare e Rinisë Popullore të Shqipërisë. Në 1946, pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Nako Spiru, që u supozua të ishte vetëvrasje, ajo u shkarkua nga roli i saj dhe u dërgua nga Tirana në Berat për të dhënë mësim. Më 1948, Belishova u rehabilitua dhe u bë anëtare e Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë nga viti 1948 deri më 1960.[4]

Ashtu si Ramiz Alia, Liri Belishova u bë pjesë e Institutit Marksist-Leninist të Universitetit Shtetëror të Moskës nga 1952 deri në 1954. Gjatë kësaj periudhe, ajo u njoh dhe u martua me bashkëshortin e saj të dytë, Maqo Çomon, i cili shërbeu si Ministër Agrikulture gjatë viteve 1954-1960. [5]

Në 1960, gjatë prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, Belishova u arrestua nën akuzën se ishte mike e Nikita Khrushchev-it. Së bashku me Maqo Çomon dhe komunistin e vjetër, Koço Tashko, ajo kishte protestuar kundër vendimit të njëanshëm të Enver Hoxhës për të mbajtur qëndrim pro-Kinës, duke paralajmëruar për pasojat e ndarjes me Sovjetikët.[6] Si pasojë e kundërshtimit hapur të politikave të pushtetit, Liri Belishova u shpall tradhëtare dhe armike e Partisë dhe e popullit.[7] Më 9 nëntor 1960, familja Belishova-Çomo u dërgua në fshatin Bulo të Gjirokastrës, ku ajo u punësua si mësuese dhe Çomo si drejtor i fermës së Goranxisë. Ata u përjashtuan nga partia më 19 janar të 1961[8] dhe u internuan në Kuç të Vlorës, më vonë në Progonat të Zvërnecit dhe në Cërrik. Liri Belishova u kthye në Tiranë në 1991.[9]

Familja

Në vitin 1958, Liri Belishova dhe Maqo Çomo ishin prindër të Petrit dhe Drita Çomos. Drita (Tiranë, 19 mars 1958 – Tiranë, 19 shkurt 1981) ishte poete. Punët e saj, më e njohura ndër të cila është Dritë që vjen nga humnera, u botuan në Shqipëri pas vdekjes së saj në moshën 23 vjecare.[10]

Vdekja

Belishova u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare, në vitin 2018.[11]

Referime