Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNj) është një deklaratë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris. Deklarata lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë njerëz besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qenieve njerëzore.[1]

Pamje e Eleanor Roosevelt duke lexuar një kopje të Deklaratës

Deklarata përbëhet nga tridhjetë artikuj, të cilët janë përpunuar gjatë viteve në vijim nga traktate ndërkombëtare, transferta ekonomike, instrumente rajonale të të drejtave të njeriut (ku spikat Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut), kushtetutat kombëtare, dhe ligje të tjera. Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut përbëhet nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, me dy Protokolle opsionale. Këto dy Konventa, të cilat shtjellojnë më tej të drejtat e njeriut, u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB në vitin 1966. Në vitin 1976, pasi Konventat ishin ratifikuar nga mjaftueshëm shtete anëtare  për të hyrë në fuqi dhe qysh nga ky moment Karta Ndërkombtëare e të Drejtave të Njeriut mori fuqi në ligjin ndërkombëtar.[2]

Historiku

Kur krimet e kryera nga Regjimi nazist në Gjermani u bënë të qartë pas luftës, konsensusi brenda bashkësisë ndërkombëtare ishte se Statuti i Kombeve të Bashkuara nuk ofronte një mbrojtje të mjaftueshme të të drejtave të njeriut,[3][4] ndaj ishte e nevojshme një Deklaratë Universale që të specifikonte këto të drejta dhe t'i shtjellonte ato.[5]

Krijimi

Krijimi i Deklaratës i'u besua një Komisioni mbi të Drejtat e Njeriut në vitin 1946, i cili punoi për dy vjet për hartimin e saj. Komisioni u kryesua nga Eleanor Roosevelt, një avokate e njohur e të drejtave të njeriut, dhe përbëhej nga 18 anëtarë të nacionaliteteve dhe përkatësive politike të ndryshme. U hartua nga Robespieri, Dantoni dhe Marati te cilet ishin rilindas kimbetar.[6]

Struktura e Deklaratës

Struktura bazike e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, frymëzuar nga Kodi Napoleonik, duke përfshirë një Preambulë dhe një hyrje ku shpalosen parimet e përgjithshme të Deklaratës, u prezantua në projektligjin e paraqitur nga francezi René Cassin.[7]

Cassin e krahasoi strukturën e Deklaratës me një ngrehinë, të përbërë nga themele, shkallë, katër shtylla, dhe një çati. Artikujt 1 dhe 2 shërbejnë si blloqe themeli, të shtruara me parimet e dinjitetit, lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Shtatë paragrafët e Preambulës, që skicojnë arsyet kryesore për ekzistencën e Deklaratës, janë shkallët që të çojnë drejt thelbit të Deklaratës, të drejtat e njeriut, të ndarë në katër shtylla. Shtylla e parë (artikujt 3-11) paraqet të drejtat e individit, siç janë e drejta për jetën dhe ndalimi i skllavërisë. Shtylla e dytë (artikujt 12-17) paraqet të drejtat e individit në shoqërinë civile dhe politike (ku përfshihen gjëra të tilla si liria e lëvizjes). Shtylla e tretë (artikujt 18-21) merret me liritë themelore shpirtërore, publike, politike, si liria sindikale, liria e mendimit, ndërgjegjes, dhe fesë. Shtylla e katërt (artikujt 22-27) përcakton të drejtat sociale, ekonomike dhe kulturore. Sipas modelit të Cassin, të tre artikujt e fundit të Deklaratës përfaqësojnë një çati që mbulon të tërë strukturën. Këto artikuj kanë të bëjnë me detyrimet e individit ndaj shoqërisë dhe ndalimin e përdorimit të të drejtave në kundërshtim me qëllimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.[8]

Artikujt e Deklaratës

ArtikujtTë drejtat e mbrojturaArtikujtTë drejtat e mbrojtura
Artikulli 1E drejta e BarazisëArtikulli 16E drejta për Martesë dhe Familje
Artikulli 2Liria nga DiskriminimiArtikulli 17E drejta për të Zotëruar Pronë
Artikulli 3E drejta e Jetës, Lirisë, Sigurisë personaleArtikulli 18Liria e Besimit dhe Fesë
Artikulli 4Liria nga SklavërimiArtikulli 19Liria e Opinionit dhe Informimit
Artikulli 5Liria nga Tortura dhe Trajtimi çnjerëzorArtikulli 20E drejta e Tubimit paqësor dhe Asocimit
Artikulli 6E drejta e njohjes si Individ para ligjitArtikulli 21E drejta e pjesëmarrjes në Qeverisje dhe në Zgjedhje të lira
Artikulli 7E drejta e barazisë para ligjitArtikulli 22E drejta e Sigurimit shoqëror
Artikulli 8E drejta e Gjykimit nga gjykata kompetenteArtikulli 23E drejta për Punë të Dëshirushme dhe për organizim Sindikal
Artikulli 9E drejta nga Arresti i padrejtë dhe EkziliArtikulli 24E dretja e Pushimit dhe Shlodhjes
Artikulli 10E drejta për Dëgjim të ndershëm publikArtikulli 25E drejta e Standartit të mirë të Jetesës
Artikulli 11E drejta për tu cilësuar si i pafajshëm deri kur provohet fajësiaArtikulli 26E drejta e Edukimit
Artikulli 12Liria nga ndërhyrjet me Privatësinë, Familjen, Shtëpinë dhe KorrespondencënArtikulli 27E dretja për të marrë pjesë në jetën Kulturore të Komunitetit
Artikulli 13E drejta për të Lëvizur lirisht brenda dhe jashtë VenditArtikulli 28E drejta për Rend social
Artikulli 14E drejta për të kërkuar Azil në vend tjetër në rast PersekutimiArtikulli 29Detyrat komunitare për Zhvillim të Lirë dhe të Plotë
Artikulli 15E dretja e Shtetësisë dhe Liria për ta ndruar atëArtikulli 30Liri nga Interferenca e Shtetit apo e të Tjerëve

Fuqia juridike

Ndërkohë që Deklarata nuk është një Traktat me fuqi kushtëzuese për shtetet, ajo u adoptua me qëllimin e shtjellimit të togfjalëshit "liri themelore" dhe "të drejta të njeriut" që gjenden në Statutin e Kombeve të Bashkuara, Statut që është kushtëzues për të gjitha shtetet anëtare. Për këtë arsye, Deklarata Universale konsiderohet si një përbërës themelor i kuadrit ligjor të Kombeve të Bashkuara. Përveç kësaj, shumë juristë ndërkombëtarë[9] besojnë se Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut bën pjesë në të drejtën ndërkombëtare zakonore[10] dhe është një mjet i fuqishëm në ushtrimin e presionit diplomatik dhe moral ndaj qeverive që shkelin të drejtat e njeriut. Mbrojtjet e ofruara nga kjo Deklaratë kanë shërbyer si gur themeli për dy Konventat detyruese të OKB-së për të drejtat e njeriut: Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Deklarata vazhdon të jetë gjerësisht e cituar nga qeveritë, akademikët, avokatët dhe gjykatësit kushtetues, si dhe nga individë të cilët apelojnë tek parimet e saj për mbrojtjen e të drejtave të tyre si njerëz.

Shih edhe

Burim i të dhënave

Lidhje të jashtme