Prindërimi LGBT

Prindërimi LGBT u referohet personave lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) që rrisin një ose më shumë fëmijë si prindër ose prindër kujdestarë. Këtu përfshihen: fëmijët e rritur nga çifte të të njëjtit seks (prindërimi i të njëjtit seks), fëmijët e rritur nga prindër beqarë LGBT dhe fëmijët e rritur nga një çift me seks të kundërt ku të paktën njëri partner është LGBT.

Çift lezbikesh me fëmijë

Kundërshtarët e të drejtave LGBT kanë argumentuar se prindërimi LGBT ndikon negativisht tek fëmijët. Megjithatë, kërkimet shkencore tregojnë vazhdimisht se prindërit LGBT janë po aq të aftë sa prindërit heteroseksualë, dhe fëmijët e tyre janë psikologjikisht të shëndetshëm dhe të përshtatur po aq mirë sa ata të rritur nga prindërit heteroseksualë. [1] [2] [3] [4] [5] Shoqatat e mëdha të profesionistëve të shëndetit mendor në SHBA, Kanada dhe Australi nuk kanë identifikuar kërkime të besueshme empirike të cilat sugjerojnë të kundërtën. [5] [6] [7] [8] [9]

Një çift i të njëjtit seks me fëmijët e tyre në Paradën e San Francisco, 2008.

Personat LGBT mund të bëhen prindër nëpërmjet mënyrave të ndryshme, duke përfshirë nga marrëdhëniet aktuale ose të mëparshme, si p.sh.:bashkëprindërimin, birësimin, kujdestarinë, inseminimin nga donatorët, IVF dhe surrogacinë (mitër me qera). [10] [11] Një burrë gej, një lezbike ose një person transgjinor që kalon tranzicionin më vonë në jetë, mund të kenë fëmijë nga një marrëdhënie e seksit të kundërt, për arsye të ndryshme. [12] [13] [14] [15] [16]

Disa fëmijë nuk e dinë që kanë një prind LGBT; Problematikat e daljes hapur ndryshojnë dhe disa prindër mund të mos u tregojnë kurrë fëmijëve të tyre që ata identifikohen si LGBT. Prandaj, mënyra se si fëmijët reagojnë ndaj daljes hapur të prindërve të tyre LGBT, ka pak të bëjë me orientimin e tyre seksual ose identifikimin gjinor, por më tepër me mënyrën se si secili prind reagon ndaj aktit të daljes hapur, dmth: nëse ka prishje të partneritetit prindëror ose nëse prindërit mbajnë një marrëdhënie të shëndetshme, të hapur dhe komunikuese pas daljes hapur ose gjatë tranzicionit në rastin e prindërve trans. [17] [18] [19]

Shumë lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë janë prindër. Për shembull në censusin e vitit 2000 në SHBA, 33 për qind e familjeve të çifteve lezbike dhe 22 për qind e familjeve gej raportuan se të paktën një fëmijë nën moshën 18 vjeç jetonte në shtëpi me ta. [20] Që nga viti 2005, rreth 270,313 fëmijë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë në familje me çifte të të njëjtit seks.

Birësimi

Birësimi i përbashkët nga çiftet e të njëjtit seks është i ligjshëm në 27 vende. Për më tepër, 5 vende kanë legalizuar një formë të adoptimit të thjeshtrit/ës. Heteroseksizmi institucional mund të vërehet në politikat e birësimit në shumë pjesë të botës: disa vende ose shtete ndalojnë në mënyrë eksplicite birësimin nga personat që janë hapur lezbike, gej ose biseksualë. Juridiksione të tjera marrin vendime nëse personat LGBTQ mund të adoptojnë bazuar sipas rasteve, me variacion të madh ndërmjet agjencive në varësi të fokusit të agjencisë (fëmijë me nevoja të veçanta, foshnja, etj.), përkatësi fetare e agjencisë nëse ka. Ekzistojnë gjithashtu barriera ligjore për birësimet ndërkombëtare, pasi aktualisht asnjë vend nuk është i përfshirë në mënyrë aktive në birësimet ndërkombëtare (p.sh Kina, Guatemala) lejojnë birësimin nga persona që identifikohen hapur si lezbike dhe gej. Personat biseksualë, transgjinorë dhe transeksualë zakonisht nuk përmenden qartësisht, por me sa duket janë përfshirë në këto ndalime. [21]

Sandy Schuster dhe Madeleine Isaacson, të cilat u takuan në kishën e tyre Pentekostale, fituan betejën e parë të kujdestarisë në Amerikë në favor të një çifti lezbikesh në vitin 1978. [22] [23]

Në janar të vitit 2008, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që një kandidat i kualifikuar ligjërisht dhe i përshtatshëm, nuk duhet të përjashtohet nga birësimi bazuar në orientimin e tyre seksual. [24]

Në vitin 2010, një gjykatë në Florida deklaroi se "raportet dhe studimet zbulojnë se nuk ka dallime në prindërimin LGBT apo përshtatjen e fëmijëve të tyre", prandaj Gjykata është e bindur se çështja është aq shumë përtej diskutimit sa do të ishte irracionale të vendosej ndryshe. [25]

Referime